Shtëpi Video A i plotësoi Kosova kushtet për liberalizim të vizave?

A i plotësoi Kosova kushtet për liberalizim të vizave?

Shperndaje në Facebook.
Misioni faktmbledhës i ekspertëve nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga zyrtarët e Komisionit Evropian, tashmë ka verifikuar gjendjen faktike në Kosovë, lidhur me përmbushjen e kushteve.
Pra në përmbushjen e tetë rekomandimeve që ky komision ka dhënë për Kosovën, për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim vizash.

Zyrtarët e Ministrisë së Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, vlerësojnë se ky mision ka gjetur rezultatet e nevojshme në fushat përkatëse.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur kushtet në kuadër të tetë rekomandimeve, por sipas tij, gjithashtu kanë dhënë edhe arsyetimet objektive për dy fusha përkatëse, në të cilat misioni vlerësues ka vënë theksin.

Sipas tij, theksi është vënë në çështjen e zbatimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe për çështjen e rekomandimit për vendime finale kundër korrupsionit.

Zëvendësministri Ilazi, thotë se lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i janë dhënë sqarimet misionit vlerësues se çështja është zvarritur për shkak të kritikave dhe ankesave ndaj këtij procesi, gjë që ka rezultuar me formimin e një komisioni ndërkombëtar për verifikimin e marrëveshjes nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, siç ka thënë ai, lidhur me çështjen e sundimit të ligjit, tashmë janë bërë një varg ndërhyrjesh.

Zëvendësministri Ilazi, ka shtuar se të dy këto çështje nuk e pengojnë rekomandimin eventual pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën nga Komisioni Evropian, për faktin se përmbyllja e tyre është proces, që do të përfundojnë deri në momentin kur do të hynte në fuqi vendimi për liberalizim vizash.

Në anën tjetër, njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se Kosova është dashur të tregohet e kujdesshme në përmbushjen e kushteve brenda tetë kritereve.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, vlerëson se çështja e demarkacionit me malin e Zi , por edhe ajo e drejtësisë mund të arsyetohen. Por, siç thotë ai, çështja e prokurimit publik, ende çalon.

Por, çështjen nëse Kosova do ta marrë kësaj radhe rekomandimin pozitiv për liberalizim vizash, sipas profesor Ujkani duhet parë nga këndvështrimi i vendeve evropiane.

“E para është që pritjet janë të mëdha që të ketë një vlerësim pozitiv. Mirëpo, kur e shikojmë në një rrafsh më të gjerë, do të thotë, zhvillimet e brendshme në BE dhe veçanërisht lufta ndaj terrorizmit ose rreziku në rritje e sipër nga terrorizmi, e zbehin edhe vet interesin e shteteve anëtare, sepse kjo duhet të votohet në Këshill”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës presin që i ngarkuari me punë i Komisionit Evropian për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos,pritet që gjatë muajit prill të vijë në Kosovë dhe ta bëjë të ditur vlerësimin nëse Kosova i ka përmbushur kriteret për të marrë liberalizimin e vizave./rfeKosova pret liberalizim të vizave