Shtëpi Kuriozitete Bashkëshortja e ish-diktatorit: Zbulohet shifra, ja sa pension merr Nexhmije Hoxha që...

Bashkëshortja e ish-diktatorit: Zbulohet shifra, ja sa pension merr Nexhmije Hoxha që nga viti 1991

Shperndaje në Facebook.

E veja e ish­-udhëheqësit komunist Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, është një nga 1 mijë veteranët e Kategorisë së Parë, e cila prej 20 vitesh merr një shpërblim prej 3911 lekësh të rinj.

Nexhmije Hoxha, e cila ka qenë në krah të bashkëshortit të saj për 41 vjet dhe e pranishme në të gjitha vendimmarrjet e rëndësishme për vendin, ka qenë anëtare e Komitetit Qendror të PPSH­së dhe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste­Leniniste.

Sipas biografisë zyrtare, Nexhmije Xhuglini (Hoxha) është përfshirë në rezistencën kundër pushtuesit të huaj me grupet rinore të gjimnazeve të Tiranës e më pas në brigadat partizane. Nexhmije Hoxha merr një pension prej 23.996 lekësh dhe një shpërblim si veterane e Luftës prej 3911 lekësh, në total 28 mijë lekë të rinj.

Edhe ish­-kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, është përfshirë në listën e veteranëve të Kategorisë së Parë, duke përfituar shumën prej 3911 lekësh të rinj.

Ai ka një pension prej 26.576 lekësh, ku bashkë me shpërblimin e veteranit përfiton 30.487 lekë. Çela ka qenë kryetar i Gjykatës së Lartë për shumë vite në sistemin komunist, por mbi të gjitha ai ka qenë kryetar i trupës gjykuese në proceset më të rëndësishme politike, që nga grupet armiqësore brenda partisë dhe qeverisë e deri te dënimet politike për krime kundër shtetit, propaganda dhe agjitacioni apo dhe arratisjet jashtë vendit. Firma e Aranit Çelës është hedhur në të gjitha dënimet me vdekje për disa dekada në shtetin shqiptar komunist.

Aranit Çela, me origjinë nga Kuçi i Vlorës, ka qenë partizan në Brigadën e Pestë që operonte në zonën e Vlorës. Si Nexhmije Hoxha, edhe Aranit Çela kanë dalë në pension në vitin 1991 dhe aktualisht marrin pensionin më të lartë, afërsisht dyfishi i pensionit minimal edhe për shkak se të dy në kohën e komunizmit, kanë qenë zyrtarë me paga të larta mbi 1 mijë lekë të rinj në muaj.

Dy personazhet e spikatura të periudhës komuniste janë përjashtuar nga lista e veteranëve që morën dekoratën me rastin e 70­vjetorit të Çlirimit të vendit një vit më parë. Në vitin 1994 është miratuar ligji 78/74 për statusin e veteranëve të LANÇ.

Bazuar në këtë ligj, ka dalë një VKM, e cila përcaktonte komisionin që do të ngrihej dhe që do të merrej se kush do ta përfitonte këtë status. Bazuar në këtë ligj, disa VKM kanë pasuruar vazhdimisht listën e emrave të përfituesve të statusit të veteranit të luftës.