Shtëpi Video Burri francez më mësoi të doja veten

Burri francez më mësoi të doja veten

Shperndaje në Facebook.

Të dashur lexues, qëllimi kryesor pse po e shkruaj historinë time në gazetë” është që t’u rris vlerësimin për veten femrave mbi 45 vjeçare. Besoj se duke treguar historinë time do të bëj që të gjitha bashkëmoshataret e mia ta kuptojnë se jeta ka kuptim në çdo moshë, sidomos po pate pranë një njeri që të vlerëson.

Unë jam 48 vjeçe dhe kam një vajzë, e cila tani është 22 vjeçe. Prej dy vjetësh ajo studion në Francë për Kanto. Ka qenë e talentuar qëkur ishte e vogël dhe tani ky talent i saj sa vjen e po kultivohet. E kam lindur vajzën kur isha 26 vjeçe, sepse isha dhënë shumë pas punës dhe ende nuk “më kishte dalë koha” për fëmijë. Kam punuar gjithë jetën ekonomiste dhe kam mbajtur veten e familjen time, nënën e babain, derisa vdiqën. E përjetova keq vdekjen e nënës e të babait, jo vetëm se ishin prindërit e mi, por edhe sepse ata vdiqën 6 muaj njëri pas tjetrit. Deri këtu nuk jua përmenda bashkëshortin sepse desha të flisja më gjatë për të.

Kur u njoha me të isha 25 vjeçe dhe kisha një ekonomi të mirë. Kisha shtëpi në emrin tim e cila më parë kishte qenë shtëpia e prindërve të mi dhe ata jetonin ende me mua. Sa kishte hyrë demokracia dhe prindërit e mi e kishin privatizuar shtëpinë në emrin tim. Edhe rrogën e kisha të mirë, kështu që ai u tërheq vetëm nga këto gjëra e u martuam. Ai ishte nga veriu e nuk kishte shtëpi në Tiranë. As të njohur nuk kishte dhe unë isha rasti më i mirë për të. Ishte në një moshë me mua dhe shumë simpatik. Brenda vitit na lindi vajza dhe gjithashtu, burri im u sistemua me punë. E ndihmoi shumë babai im, i cili në atë kohë kishte shumë të njohur për arsye se ishte tiranas, por edhe kishte qenë në poste të mira gjatë kohës së komunizmit. Bashkëshortit tim po i vinin të mirat një e nga një. Në fakt, jua thashë dhe më lart se ai këtë kishte synuar që në fillim. Unë e mirë isha në paraqitje, por gjithmonë kam qenë buçko, kështu që dukesha më e madhe në moshë se ai për shkak të shëndetit. Një e metë e madhe e imja ishte që isha shumë e dashururar pas tij. E ndjeja se ai nuk më donte aq shumë sa unë, por nuk e kisha problem. Madje kishte raste kur ai ma shprehte hapur se nuk kishte simpati për mua, duke më thënë se isha e shëndoshë e duhej të dobësohesha pak. Nganjëherë më dukej se edhe pas vajzës nuk ishte shumë i dhënë. Nuk ishte fare i përkushtuar si baba, madje shpeshherë më thoshte se vajza më kishte ngjarë mua, ishte e shëndoshë. Megjithatë, unë e durova për disa vite.

Sapo më vdiqën prindërit, unë fillova ta largoja. Nga kjo ai zemërohej shumë e filloi të më rrihte. Në këtë fazë i erdhi fundi durimit, kështu që “veprova pas shpine”. Bëra që ta hiqnin nga puna dhe në të njëjëtën kohë, bëra divorcin, kështu që ai mbeti në mes të katër rrugëve. Në fillim më kërcënonte, por më pas se ku gjeti një të dashur dhe nuk mora vesh më për të për një kohë të gjatë.

Vazhdova jetën e vetme duke iu përkushtuar vetëm vajzës sime. Asnjë nuk më ngacmonte të paktën me fjalë. Me kalimin e moshës fillova të shëndoshesha më tepër, kështu që nuk i bija në sy ndonjë mashkulli. Megjithatë, ndihesha mirë. Kisha vajzën dhe kisha një ëndërr të saj për të realizuar: Ta ushqeja talentin e saj dhe ajo të bëhej e suksesshme. Siç ju thashë edhe më lart, tani kjo ëndërr është në plotësim e sipër përderisa ajo u pranua në një nga licetë më të njohur të Francës.

Ishte viti i parë i vajzës në Francë dhe unë shkoja shpesh si në fillim derisa u stabilizua, ashtu edhe më pas. Ashtu në shëndetin tim të cilin nuk e kisha aspak problem dhe me atë thjeshtësinë time, tërhoqa vëmendjen e një burri në tren. Kisha marrë trenin për të shkuar te vajza si më i lirë dhe më shumë për nostalgji. Edhe pse rruga zgjaste pak, nuk e kisha problem, sepse nuk kisha njeri që ta merrte malli për mua në Shqipëri.

E ndjeva se po më shihte një njeri në ndenjësen përballë meje. Unë po lexoja një libër, por vëmendja tani ishte përqendruar tek ai shikim, edhe pse nuk po i ngrija sytë.

– Më falni, – tha ai frëngjisht. Unë menjëherë e kuptova sepse e kisha mësuar frëngjishten që në shkollë dhe e kisha mbrojtur si gjuhë, pastaj edhe babai im e dinte mirë dhe shpesh ne flisnim në shtëpi frëngjisht.

– Po – ia ktheva. Ai u kënaq që unë fola frëngjisht.

– Si e ka titullin ky libri që po lexoni?

Ia thashë titullin në frëngjisht dhe ai më pyeti nëse ishte interesant apo jo. Kur bëhet fjalë për libra unë flas pa pushim, por në këtë rast më pengonte pak frëngjishtja se nuk diskutohet që nuk e kam perfekte si shqipen.

– Duket shumë interesant tani që më përshkruat subjektin. Edhe unë lexoj shumë libra. Paskemi një të përbashkët të madhe.

– E madhe? – e pyeta me shumë kuriozitet se më habiti si fjalë.

– Po pra, e përbashkët e madhe, sepse sipas mendimit tim, është fat të gjesh një njeri që e ka me pasion leximin. Nëse e gjen, atëherë ke gjetur shokun e duhur sepse do kesh një njeri me të cilin mund të flasësh pambarimisht dhe për gjëra interesante e njëkohësisht, të mësosh gjëra të reja në çdo bisedë.

Në fakt, kishte të drejtë. Nuk më kishte rastisur më parë të takoja një njeri që i dashuronte librat si unë. Të gjithë njerëzit mezi më duronin kur unë u flisja për librat. Nejse, kaluam një kohë të gjatë duke folur dhe pa kuptuar erdhi stacioni ku unë duhej të zbrisja. U habita kur ai më kërkoi një numër kontakti. Ia dhashë pa menduar se mund të më bënte keq. Nja një orë pasi arrita te konvikti i vajzës, më ra telefoni.

– Qenka një numër i panjohur, – i thashë vajzës. – Ndoshta kanë ngatërruar numër, prandaj nuk po e hap.

– Po hape mami se ku i dihet ndoshta ndonjë adhurues… – qeshi ajo.

Në atë moment m’u kujtua se ia kisha dhënë numrin atij burrit në tren, por nuk e besoja se ai do t’i telefononte një gruaje si unë. E çfarë mund t’i kishte bërë një përshtypje të mirë tek unë që të më telefononte?! Nuk e hapa herën e parë, por për çudinë time, ai numër më mori përsëri. E hapa dhe kisha patur të drejtë. Ai më telefonoi për të ditur se si kisha arritur. Ndjeva një kënaqësi që kisha kohë pa e ndier. Një njeri që po merakosej për mua ishte nga ana tjetër e telefonit dhe kjo do të thoshte se isha në fillim të një ndjenje të re.

– E sheh mami se ke adhurues? – më tha vajza sapo ula telefonin. – Të kërkoi takim? – e kisha mësuar vajzën që të ishte e hapur dhe të mos kishte droje kur fliste me mua.

– Ej, po flet me mamin dhe jo me një shoqe! – i thashë me shaka.

– Lëre atë, por më trego se kur do të takoheni.

– Nuk më la ndonjë takim. Vetëm më pyeti se si kisha arritur dhe a ishe mirë ti. Asgjë më tepër.

– S’ka gjë mami se herën tjetër do të të kërkojë takim. – tha kështu dhe më shtrëngoi fort duke më thënë: – E kush nuk do ta donte mamin tim? Ti je njeriu më i mirë në botë!

E në fakt, ashtu ndodhi. Ai më telefonoi të nesërmen dhe më ftoi në takim për të folur rreth librave. Gjatë gjithë ditës vajza u mor me mua që të më bënte të bukur. Unë jam një tip sportiv ngaqë jam e shëndoshë e nuk më shkojnë fundet ngjitur pas trupit, por vajza u mundua dhe më në bëri sikur po shkoja në takim me ndonjë deputet. Kur më pa, ai u habit:

– Je një mrekulli! Uau ti je apo më bëjnë sytë?

– Mos u tall tani. Unë jam, po vajza ka gjithë ditën që merret me mua.

– Dhe ka bërë një punë shumë të mirë! – tha ai e ende nuk po e merrte veten.

Që nga ajo natë, ai është i dashuruar marrëzisht pas meje. Edhe pse kisha një punë të mirë në Shqipëri dhe shtëpinë time, nuk u mendova dy herë kur ai më kërkoi të martohesha me të. Ne jemi shumë të lumtur së bashku dhe jeta ime tashmë ka një tjetër kuptim. Ai nuk më ka thënë asnjëherë të dobësohem apo të ndryshoj veshjen time, ashtu si më thoshte burri i parë, i cili më mori vetëm për interes.

E shkrova këtë histori është për të gjitha gratë e moshës sime, si të martuara, ashtu edhe të divorcuara. Të gjithave u jap një këshillë: Mos u demoralizoni nga pamja juaj! Nuk diskutohet se është mirë të jesh elegante, por ka fizikë si i imi që nuk mund të kenë elegancën e përsosur. Në botë është një njeri që ju do për atë që jeni dhe jo për atë që dukeni.