Shtëpi Video Djali dashuron komshien e divorcuar

Djali dashuron komshien e divorcuar

Shperndaje në Facebook.

Unë që po ju shkruaj jam një grua së cilës i ka ecur shumë ters në jetë. Jam në moshë të mesme dhe kam një djalë. Prindërit më martuan me një burrë që nuk e doja dhe nuk arrita ta doja derisa ai vdiq. Ishte një burrë (e di se nuk është mirë të flitet keq për të vdekurit, por dua t’jua shpjegoj sa më mirë jetën që kam bërë, që edhe ju të kuptoni pse i kam bërë këto veprime) që nuk dinte të bënte asgjë. Herë punonte e herë jo dhe kur punonte, lekët që kishte fituar, i pinte. Me kalimin e kohës ai nuk po gjente punë, kështu që harxhonte lekët e mia për të pirë. I jepja lekë për të blerë ushqime, se vetë isha në punë e ai i pinte. Nga pija nuk më rrihte as më shante, por më dhimbseshin lekët se doja edhe unë të kisha një gjendje ekonomike të mirë. Për këtë arsye, bëja gjithmonë orë shtesë që të rrisja djalin, pa i munguar asgjë.

Në fakt, djali ma shpërblente me mësime. Sa herë shkoja në takim me prindërit, mësuesit më flisnin fjalët më të mira për të, si nga sjellja, ashtu edhe nga notat. Pra, nga njëra anë po ia vlenin sakrificat e mia. Siç ju thashë, vdekja e burrit nuk diskutohet që më preku, por në njëfarë mënyre u ndjeva edhe e lehtësuar. Tani të paktën e dija se nuk do të më harxhonte ato lekë që i fitoja me mund. Mendova se edhe jeta ime tani po merrte një kthesë për mirë. Djali ishte në vit të fundit të gjimnazit dhe ishte e sigurt se shkolla e lartë do t’i dilte dhe madje një degë e mirë, sepse ai kishte mësuar dhe kishte dalë gjithmonë me rezultate të larta, por që prej vdekjes së burrit, djali nuk ishte si më parë. Kishte filluar të rrinte më shumë jashtë dhe po lexonte përherë e më pak.

– Ende nuk e ke marrë veten nga vdekja e babit, e kuptoj, – i thashë një ditë, – por duhet të bëhesh i fortë e të mësosh si më parë sepse është vit vendimtar për ty.

– E ke të lehtë që ta harrosh ti se nuk e doje, por unë e kisha baba dhe e doja shumë! – më tha thatë.

– Si më flet kështu? A nuk kam bërë unë sakrifica të mëdha për këtë familje?

– Më mirë mos ta zgjasim më tej mama, se ti zemërohesh shpejt dhe nuk e dua këtë gjë. – këto fjalë të tij më vranë, por ishte e vërtetë se nuk duhej ta zgjasja më tepër.

Nuk ia zura më me gojë këtë gjë dhe ai gjithashtu. Që nga ajo ditë, filloi të mësonte më tepër, por kohën që kalonte jashtë, nuk e pakësoi. Megjithatë rashë në njëfarë qetësie sepse unë e kisha hallin te mësimet dhe jo te qëndrimi i tij jashtë. Ai kishte një sjellje të përsosur dhe isha e sigurt nuk do të bënte asgjë të keqe, edhe pse kalonte kohë jashtë shtëpisë. Koha kaloi dhe atij i doli bursa për Mjekësi. Kjo gjë pritej dhe dihej për të. Ai ishte i shkëlqyer në mësime.

Filloi shkolla e lartë dhe mua tashmë më dukej se çdo gjë tani kishte marrë për mirë. Edhe në universitet ai mësonte me të njëjtin zell dhe kjo për mua ishte ajo që doja. Nga mesi i vitit të parë më ndodhi diçka e çuditshme. Në një kafe pashë djalin tim me një femër. M’u duk sikur e njihja, por nuk doja të dukesha sikur po ndiqja djalin dhe nuk ndalova për ta parë me vëmendje se kush ishte. Sapo erdhi në shtëpi, i thashë:

– Të pashë sot tek po pije kafe.

Ai në çast ngriu dhe dukej sikur nuk po merrte frymë. U zverdh dhe më trembi.

– Zemër, ç’ke kështu? – i thashë. – Pse u zverdhe? Është e natyrshme të pish kafe me femra se tani je në moshën e duhur për lidhje…

Kur i thashë kështu u duk se i erdhi mirë dhe sikur i erdhi gjaku në fytyrë.

– Po ti, me kë më pe?

– Si, me kë të pashë? Me atë që ishe tani në kafe. S’ka pak që erdha dhe rrugës të pashë ty të ulur në kafe. Ajo ishte me shpinë dhe nuk e dallova.

– Aha! Nuk e pe se kush ishte?

– Po, nuk desha të ndalesha që mos të të vija në siklet.

– Mirë, mirë, – e preu shkurt bisedën dhe unë nuk e zgjata më tepër.

Pas një gjysëm ore më erdhi komshia për të pirë kafe. Ishte një grua e mirë, e pashme dhe pak më e re se unë. Ishte rreth të 35-tave dhe dukej më e re. Kishte vetëm një vajzë 10 vjeçe dhe ishte e divorcuar nga burri. Ajo nuk tregonte se ku ishte i shoqi, por më dukej se ishte në burg jashtë shtetit. Nga gjendja ekonomike nuk ishte keq sepse ishte vendalie dhe kishte patur shumë prona. Unë bëra nga një kafe dhe u ulëm ta pinim bashkë.

– U lodhe në punë sot? – më pyeti.

– Ja, ashtu si çdo ditë. Në fakt, lodhja nuk është asgjë, por më shqetëson fakti se djali më është larguar shumë e nuk e di përse.

– Pse mendon kështu? – tha ajo e habitur dhe shumë kurioze.

– Po ja, sot e pashë tek pinte kafe me një femër dhe kur e pyeta, ngriu e nuk dinte ç’të thoshte. A thua se çfarë do t’i bëja unë se ishte ulur me një femër! Ai ka moshën tani për këto gjëra…

Edhe shoqja ngriu si djali kur i pata thënë këto fjalë.

– Po ti ç’ke? – e pyeta, se u habita nga reagimi i saj.

– Jo, jo, asgjë. Nuk kam qenë mirë sot, më merren pak mendtë.

– Unë nuk e pashë atë që ishte me të, madje nuk fiksova asnjë detaj të saj që mos të dukesha sikur po e përgjoja, – vazhdova bisedën unë.

– Pra, nuk paske dalluar gjë? – tha ajo e lehtësuar.

– Jo pra! Edhe ai kur e mori vesh këtë, u çlirua…

Folëm edhe për gjëra të tjera atë ditë dhe u ndamë si zakonisht. Të nesërmen erdhi motra ime nga Italia. Kishte mbërritur para ardhjes sime nga puna. E gjeta në shtëpi dhe u kënaqa aq shumë sa nuk di ç’të them. Më pas erdhi edhe djali. Edhe ai, sigurisht, u kënaq.

– Kur erdha të pashë me Matildën në kafe. Është grua e mirë, gjithmonë më ka pëlqyer nga paraqitja, por edhe si karakter.

– Me Matildën! – lëshova unë fjalët si britmë. – Me komshien në kafe? Si ka mundësi?

– Pse, çfarë ka? – pyeti motra e habitur.

– Po ajo është shoqe me mua dhe… çfarë donit ju në kafe bashkë? – iu drejtova djalit.

Ai nuk fliste dhe kjo më bëri të acarohesha më tepër.

– Nuk e kuptoj çfarë ka këtu për t’u acaruar, – tha motra. – Ju komshie e keni, ti ke shoqëri me të prej vitesh dhe e njeh shumë mirë.

– Po pra, unë, po ky ç’do me të? Kur ajo pi kafe me mua, ky rri nga dhoma tjetër.

– E na lodhe me këto gjëra o ma! – tha djali dhe u ngrit e shkoi në dhomën e tij.

– Pse u mërzite kështu zemër? – tha motra. – Mos e keqkupto! Ajo është shumë e madhe për të dhe nuk duhet të të shkojë mendja për keq.

– Nuk e di se ç’pata, si një parandjenjë për diçka të keqe. Prit pak, prit, tani që po mendohem më duket se i kam parë edhe unë së bashku në lokal. Po, po, me të ka qenë atë ditë… – shkova te dhoma e djalit dhe ia hapa derën me forcë.

– Edhe atë ditë me të ishe në kafe? Po çfarë mund të bisedosh ti me të në kafe, more djalë?

– Gjëra që nuk të përkasin ty! – më tha ai ashpër.

– Si? Nuk më përkasin mua? Mirë mos m’i trego gjërat që flisni, po të paktën a mund ta di në lidhje me çfarë flisni, meqë i pini kafet fshehtas meje?

– Për çfarë të duam ne! – tha ai me të njëjtin ton si në fillim. – Tani të lutem më lër se më duhet të mësoj, se siç dihet, vetëm mësimet e mia të interesojnë ty.

E mbylla derën e u lëshova mbi divan.

– Nuk e di a janë të vërteta këto që po më dëgjonë veshët motër! – thashë.

– Hë, se e zgjidhim dhe këtë punë! – më qetësoi motra.

– Ja, se e zgjidh unë që tani, – thashë dhe u ngrita e shkova te komshia. I rashë derës dhe sapo ajo ma hapi derën, e kapa për dore dhe e çova te shtëpia ime, te dhoma e djalit. Ai u ngrit në këmbë dhe tha:

– Je çmendur? Ç’po bën kështu mama?

– Ja, të solla shoqen e kafes që ta di dhe unë se ç’po ndodh pas krahëve të mi.

– Nuk të takon të dish asgjë! – më tha djali. – Punët e mia di si t’i zgjidh vetë.

– Po ti, e dëgjon si flet? – iu drejtova komshies. – A na tregon ti se ç’lloj pune keni ju të dy së bashku?

– Mos e mërzit atë mama! S’ke punë me të! Unë ta dhashë përgjigjen për të dy. Ajo është e dashura ime dhe nuk lejoj njeri ta marrë nëpër këmbë, qofsh edhe ti që je nëna ime!

Në këtë çast, mua m’u përmbys bota. Kisha patur shumë vështirësi në jetë, por këtë nuk e kisha pritur kurrë. Më kishte rënë të fikët dhe pas pak çastesh, kur hapa sytë, e pashë veten të rrethuar nga motra, komshia dhe djali që po qante me dënesë.

– Më fal mami, më fal! O ç’fëmijë kot jam dhe unë që të bëra ty këtë!

– S’ka gjë bir! – mezi i nxora këto fjalë.

Për momentin, gjithçka u qetësua, por në ditët në vazhdim nuk mund të isha e qetë. Si mund ta lija djalin tim të vetëm të lidhej me një grua të divorcuar, me një fëmijë dhe aq më tepër, shumë vite më të madhe se ai?

I kërkova ndihmë motrës.

– Nëse vij bashkë me djalin në Itali, a më siguron një punë?

– Po, sigurisht, për ty e gjej punën. Unë kam vite që të jam lutur të vish, por ç’do të bësh me djalin, si do ta lësh vetëm?

– Nuk do ta lë vetëm. Do ta marr me vete.

– Po shkolla? Nuk besoj se do ta lësh pa shkollë.

– Nuk do ta lë. Do ta vazhdojë shkollën atje. Me italishten është mirë, do të humbë një vit, por s’ka gjë. Po ndenji këtu, do të humbë gjithë jetën pas asaj gruaje.

– Ti e di… – tha motra.

Vendosa të ikja në Itali dhe këtë ia thashë edhe djalit. Ai u egërsua dhe më tha se nuk vinte, kështu që i luajta kartat në të kundërt. Shkova e takova komshien. Edhe ajo u habit kur më pa, sepse e dinte se do të kisha ndonjë gjë të keqe për t’i thënë. I tregova se do të shkoja në Itali, por djali nuk donte të vinte me mua për shkak të saj.

– Ti duhet t’i mbushësh mendjen atij se më e mira për të është të vijë me mua. Nëse ti nuk e bën një gjë të tillë, atëherë unë nuk mund të iki në Itali vetëm dhe mos harro që do të më kesh armikun tënd më të madh e do të ta nxij jetën… – I thashë shumë fjalë e kërcënime, por ajo nuk më dha të kuptoja asgjë sepse nuk foli fare, vetëm dëgjonte.

Për çudi, të nesërmen djali erdhi e më tha se kishte vendosur të ndahej prej saj. Pas disa ditësh pashë rrobat e saj në një makinë, pra, ajo po shpërngulej. Pas kësaj, nuk ishte nevoja që unë të shkoja në Itali te motra. Djali në fillim nuk më fliste, por tani ka filluar të ndryshojë. Nganjëherë më thotë mendja se ata mund të takohen fshehtas meje, por e largoj shpejt këtë mendim. Shpresoj që atij t’i ecë mbarë në jetë e të bëhet një mjek i njohur dhe i zoti.