Shtëpi Lajme “Doktor, ma hiq dhëmballën, s’kam lekë!” Emirjoni nuk kafshon më, ka dy...

“Doktor, ma hiq dhëmballën, s’kam lekë!” Emirjoni nuk kafshon më, ka dy fëmijë pas vetes

Shperndaje në Facebook.

Historia e radhës që ka ardhur në redaksinë e JOQ.al nuk ka të bëjë me gjëra të mëdha, triumfe, suksese, ngjarje motivuese dhe as… “fishekzjarre” tipike virtuale, të cilat përdoren për të kapur disa klikime më shumë. Personazhi është një njeri i thjeshtë, i cili jeton në Tiranë dhe quhet Emirjon.

Ai është babai i dy fëmijëve dhe ka tri punë, dy të plota dhe një vetëm në fundjavë. Nuk e thotë kurrë rrogën totale, sepse i vjen zor nga vetja. E di se po e keqtrajtojnë në çdo aspekt, por nuk ka ç’bën.

Kjo asht jeta, naqe. Kur isha 12 vjeç, isha i sigurt se sot do të kisha një vilë dhe fëmijët e mi do të ishin krenarë për mu. Kam punu shumë, por nuk ia dola. Nuk asht e shkrume me ken për ne kjo jetë”.

Nuk e prisnit dialektin, ë? Po, ai është shkodran me origjinë. Dita kur kuptoi se është jashtëzakonisht shumë i varfër ishte kur shkoi te dentisti, meqë nuk e duronte dot dhimbjen e dhëmballës. Doktori i tha se duhej ta kuronte me kujdes dhe se çmimi për veshjen e dhëmballës me porcelan shkonte 85 mijë lekë të vjetra. Aty Emirjonit iu bënë sytë si nëpër filma, me zogj që i rrotulloheshin si helikat e helikopterit rreth kokës, sepse aq para nuk i kishte. Madje, as çerekun. Dhe kështu, iu përgjigj:

Doktor, m’nigjo mu! Duhet me e hek krejt, jo me e mbush! Nuk kam… M’nigjo, mor burrë, se unë kshu i kaloj dhimbjet. Heku diçka nga vetja dhe dhimbja pushon. Për njerëz si ne nuk ka kurime e rregullime”.

Doktori u shtang nga kërkesa e pacientit të tij, por u dorëzua kur ia pa rrudhat e inatit në fytyrë. Me siguri, ka menduar se do ta pësonte keq po të këmbëngulte.

Kjo histori nuk ka pikë kulmore, ka vetëm përsëritje: Emirjonit i ka ndodhur gjashtë herë në tri vitet e fundit dhe goja e tij nuk kafshon dot më si më parë. Disa dhëmbë i kanë rënë vetë, kurse gjashtë i ka shkulur te dentisti. Pra, thuajse gjysma.

Emirjoni nuk ha si njeri. Ai e përtyp menjëherë ushqimin. Gjë e rrallë? Jo, thjesht diçka shqiptare. Ne nuk jemi vetëm popull pa bukë, por edhe… pa dhëmbë.

Shënim: Nuk e dimë emrin real të personit i cili na ka dërguar mesazhin, ku na shkruan për Emirjonin. Ne i kemi modifikuar disa elemente, por pa e dëmtuar trungun e ngjarjes.