Shtëpi Kuriozitete Edhe e puthja, edhe e urreja!

Edhe e puthja, edhe e urreja!

Shperndaje në Facebook.

Ndoshta shumë vajzave u ka ndodhur ajo që më ka ndodhur mua, madje edhe më keq. Arsyeja e vetme për të cilën unë do u tregoj qëndron në faktin se unë kam çaste në të cilat e ndjej ose, më mirë të them, e përjetoj atë ngjarje si të kishte ndodhur dje, shkruan Eni nga Prishtina.

Kanë kaluar tashmë disa vjet që nga ajo ditë dhe tronditja e asaj dite, që më pas shkaktoi një traumë në jetën time, është prezent në mua edhe sot. Kreva shkollën e mesme dhe ëndrra ime për të vazhduar fakultetin u bë realitet.

Mendoja se jeta ime tashmë kishte marrë atë drejtim që unë kisha ëndërruar qëkur isha fëmijë. Shihja shkallët që çonin atje ku unë dëshiroja të futesha. Dhe, kështu, një vit ndihesha shumë e lumtur. Isha studente dhe kur kaloja rrugës njerëzit më shikonin me admirim, sikur e ndjenin që unë isha ajo që kisha ëndërruar të isha…

Po afrohej sezoni i provimeve dhe, si të gjithë studentët, kisha edhe unë emocionet e mia. Dhe, përpara se t’u tregoj atë që ndryshoi rrjedhën e jetës sime, dua t’ju tregoj se nuk kam qenë vajzë me paragjykime, nuk isha kundër dashurisë, kundër seksit… Nuk krijoja ndonjë paragjykim të keq për miqtë e mi të cilët bënin seks. Megjithatë, dëshira ime ishte që herën e parë ta bëja ditën e parë të martesës…

Kam qenë tepër e çiltër me miqtë e mi. Nuk mendoja se kurrë në shoqëri njeriu mund të jetë hipokrit deri në atë pikë sa edhe çiltërsia ime bëri që unë një ditë të bukur pranvere të ndodhem në një shtëpi… Nuk arrita ta kap situatën, magnetofonit iu ngrit zëri, ai që deri pak më parë ishte njëri prej shokëve të mi mu afrua: “Do ta bëjmë?”.

Gjithmonë fjalët e tij i merrja si shaka, sepse ai asnjëherë nuk fliste seriozisht. Dhe, në ato momente u gjenda para tij krejt e zhveshur. E, në ato momente nuk dëshiroja gjë tjetër veç të mos ekzistoja. Mirëpo, lutjet e mia nuk arrinin ta qetësonin… Megjithatë, befas ai u ndal. Nuk e di pse… Ndoshta pati frikë… Ndoshta s’deshi të merrte përgjegjësi për atë çfarë do të bënte… U ngrit dhe doli… Edhe unë u ngrita, u vesha shpejt e shpejt, duke falënderuar Zotin që s’ndodhi gjë…

Por, befas dikush tjetër hyri në dhomë. Edhe ai kërkonte të bënte seks… Lutjet e mia morën si përgjigje disa shpulla e grushte… Dhe, më pas zëri i tij: “Në qoftë se e bën me mua, atëherë do të shpëtosh nga të tjerët që presin jashtë!”. E unë? S’flisja, vetëm qaja… Në një moment mora guximin dhe i thashë: “E vras veten dhe atë që ti kërkon nuk e bëj!”. Në çast, në korridor u dëgjuan zëra njerëzish.

“Oh”, thash me vete, “jam në ëndërr apo Zoti më ndihmoi, për të dytën herë, brenda pak çastesh?”. Në çast, fytyra e tij mori një pamje tjetër… U frikësua ndoshta… Më premtoi se po ta puthja do më nxirrte nga ajo shtëpi pa ther në këmbë, siç thuhet. Dhe, ma kërkonte këtë me një ton miqësor ai që do e vrisja po të kisha mundësi.

Megjithatë, s’kisha puthur mashkull deri në ato çaste. Fillova ta puthja atë njeri që e urreja atëherë, por edhe tash, sa herë që e kujtoj atë trishtim… Kështu, dola nga ajo shtëpi me disa kafshime në buzë e faqe, madje deri në gushë. Kah ajo shtëpi më shumë kohë nuk kam kaluar, sepse nuk doja as ta kujtoja tmerrin e asaj dite…

Dhe, me kaq shoqëria ime me ta u mbyll, për të mos u hapur më kurrë… Pak muaj më vonë u sëmura dhe u shtriva në spital. Por, s’përfundoi me kaq. Ata përhapën fjalë nga më të ndyrat për mua se kinse kanë bërë qejf me mua secili sipas dëshirës së tij, andaj edhe ndodhem në spital… Viti i dytë i fakultetit për mua qe një tmerr i vërtetë. Më dilnin përpara të dehur, më kërcënonin… Madje, kaloi edhe shumë kohë dhe ata nuk u zbrapsën. Mburreshin me veprimet e tyre që kishin bërë me mua…

Dhe, pse e tregova këtë histori timen? Sepse, ajo ngjarje ma shkatërroi jetën time. Tani kam një të dashur, që e dua shumë, por e di se s’do të jetë e largët dita që ai do të largohet nga unë. Sepse, unë kam frikë ta prek… Arsyeja tjetër që e tregova një pjesë të historisë së jetës sime është se janë të shumta vajzat që kanë kaluar momente të tilla.

Janë të shumta ato që janë përdhunuar dhe nuk i kanë denoncuar agresorët e tyre… Andaj, nuk është turp të tregosh atë që të ka ndodhur…/Eni