Shtëpi Kuriozitete Erdhi nga Australia t’më takoj por…

Erdhi nga Australia t’më takoj por…

Shperndaje në Facebook.

Dashuria ime, më interesantja në jetë, filloi pas mbarimit të gjimnazit dhe fillimit të studimeve në Gjermani. Atëherë rrjetet sociale, veçanërisht “Facebooku” nuk ishte kaq dominues në jetët e njerëzve si është sot. Por, veç sa kishte filluar. Kështu, edhe unë u njoha me Armendin, nga Prishtina, e që jetonte në Australi, me të cilin komunikova rrafsh një vit pa u parë asnjëherë. Dhe, erdhi dita të takohemi dhe nuk u ndamë më kurrë, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, A., nga Gjermania.

Pas komunikimit me mesazhe private, shkëmbyem msn-të. Një vit komunikim. Mes nesh lindi një miqësi e lezetshme. Diskutonim edhe për gjëra private, ndanim çdo detaj të rutinës, mund të flisnim për gjithçka, mund të flisnim edhe për asgjë. Gjatë këtij viti, asnjë prej nesh nuk shfaqi interes më shumë se shoqëror për tjetrin. Edhe pse ai ishte goxha i pashëm nga ajo që shihej në kamerë, inteligjent ishte edhe më shumë. Dikur e vura re se atij i pëlqeja. Mu rrëfye. Kishte kohë që “ndjente” për mua. “Ndjente”, sepse dashuritë platonike janë pjellë librash, ndjenjat kërkojnë prekje, shikime të ndërsjella, përjetime të tjetrit. Stimulimi intelektual i fillimit kishte kaluar në nivele të tjera, më shumë se miqësi. Andaj, edhe vendosëm të takoheshim si miq, por edhe si dy njerëz që pretendonin të kishin gjetur të duhurin. Aura e qenies së tij më pushtoi dhe hyri thellë deri në deje. Kisha përshtypjen se e njihja një jetë të tërë! Unë nuk besoja më parë në fat. Fati ishte supersticion. Kishte thjesht produkte rrethanash. Por, kryqëzimi i jetëve tona nuk ishte i tillë, ishte fatal. Ja që ka, vërtet, njerëz të bërë për njëri-tjetrin. Ai fati inekzistent kishte farkëtuar një qenie për mua, një qenie perfekte në çdo qelizë të tij.

Pas një vit e ca lidhje në distancë, ai vendosi të vijë te unë. Në Gjermani, ku mund të bënte edhe masterin e tij. Erdhi dhe nuk u ndamë. Jetojmë bashkë qe tre vjet, jetojmë me njëri-tjetrin çdo ditë si të parën. Kishin të drejtë kur thoshin se miqësia është humusi i dashurisë. Vetëm se miqësitë e vërteta duhet të jenë të maturuara, të shprangosura nga çdo klishe, të afta intelektualisht e të një rrafshi për të ndërtuar e sofistikuar kështjella dashurie. Sepse, dashuria s’është vetëm me princesha e princër të kaltër mbi kuaj./A./Kosovarja/