Shtëpi Lajme Italia – Shqipëria, Basha zbulon sekretin e Venturës

Italia – Shqipëria, Basha zbulon sekretin e Venturës

Shperndaje në Facebook.

Është një nga njerëzit që ka luajtur më së shumti në Itali nga kontingjenti aktual i futbollistëve të Kombëtares. Pas trajnerit Gianni De Biasi, Migjen Basha mund të ketë tagrin e duhur për të komentuar Italinë për përballjen e radhës, jo vetëm për 9 vitet në të cilat ka qenë pjesë e futbollit italian në të gjitha kategoritë, por për më tepër për faktin që ka qenë një ish-lojtar i trajnerit të Italisë, Gian Piero Ventura
Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i Barit, Migjen Basha tregon njohjen me teknikun e Italisë, Gian Piero Ventura dhe zbulon një tipar të italianit për mënyrën se si i përgatiste ndeshjet kur ishte te Torino. Ndonëse ai ka eksperiencë të gjatë në futbollin italian, gjatë intervistës përgjigjet edhe me batutë nëse do të ketë apo jo vend në skuadrën e De Biasit për këtë përballje.

Pas një nisjeje jo si duhet të sezonit nga skuadra juaj, tani Bari është në zonën “play off” për në Serinë A dhe ju personalisht keni fituar rolin e një lojtari të rëndësishëm. Si e ndieni veten ne skuadër?

Basha: Në fillim kemi pasur probleme dhe më pas u ndërrua edhe trajneri. Me ardhjen e teknikut të ri kemi nisur të ringjitemi në tabelën e klasifikimit. Për momentin jemi në formë, jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët dhe në përgjithësi kemi rezultate të mira.

Çfarë synimi keni për këtë edicion?

Basha: Sigurisht që objektivi ynë është që të ngjitemi në Serinë A. Nuk ka shumë rëndësi nëse do t’ia dalim me anë të ndeshjeve në fazën “play off” apo direkt me vendet që na ngjisin nga renditja në përfundim të këtij sezoni.

E radhës për Kombëtaren do të jetë përballja me Italinë në Palermo, mirëpo forma e shumë lojtarëve nuk është më e mira e mundshme. A prisni të keni minuta përballë Axurrëve?

Basha: Nuk e di formën e bashkëlojtarëve të mi, por mendoj se nuk do të thotë asgjë në të tilla ndeshje. Kjo pasi kur ke përballë një kundërshtarë të tillë i gjen të gjitha motivimet e duhura dhe në atë përballje secili lojtar ndihet mirë dhe plotësisht gati për të treguar më të mirën për Kombëtaren. Para se të mendoj nëse do të kem minutazh apo jo, duhet të mendoj nëse do të kem ftesë apo jo (qesh…).

Duke e njohur Italinë (mentalitetin e lojës dhe mënyrën si luajnë) dhe shumë prej lojtarëve të saj, cilat mund të cilësohen si pika e saj e fortë dhe pika e dobët?

Basha: Një skuadër si Italia nuk ka pika të dobëta. Kjo për vetë faktin se të gjithë lojtarët e saj po kalojnë formë të mirë dhe janë në skuadrat më të forta të Serisë A, apo disa të tjerë janë në skuadra si PSG apo Manchester, i referohem Verratit dhe Darmian.

Në këtë ndeshje do të përballeni me ish-trajnerin tuaj, Venturan?

Basha: E njoh skuadrën italiane në përgjithësi, por njoh sidomos trajnerin Ventura, të cilin e kam pasur te Torino për katër vite. Unë e di se çfarë kapacitetesh ka ai për të përgatitur një ndeshje. Është me të vërtetë fenomenal.

Ndaj Spanjës, Shqipëria tentoi të mbrohej shumë pa arritur të bëjë asgjë në aspektin e ndërtimit. Po ndaj Italisë, si mendoni se është mënyra e duhur për të luajtur?

Basha: Në të vërtetë, nuk mundem as të mendoj se do të duhej ta sulmonim Spanjën, pasi do të kishim pësuar shumë gola.

Një deklaratë pesimiste, për një ekip që mori pjesë në Europian?

Basha: Jo, ky nuk është pesimizëm. Ne duhet ta dimë realitetin se sa shumë diferencë ka mes nesh dhe një skuadre si Spanja.

Si mendoni se duhet të luajmë ndaj Italisë dhe cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë për këto kualifikuese?

Basha: Gjithmonë i kemi menduar ndeshjet njëra pas tjetrës, pa bërë kapërcime. Së pari, na duhet të bëjmë një ndeshje me dinjitet kundër Italisë, pastaj të mendojmë për të tjerat.

Sa i arritshëm është vendi i tretë, duke e ditur që Izraeli na mundi në shtëpi, pa harruar që Italia e Spanja janë dukshëm shumë herë më të forta sesa ne?

Basha: Sipas meje, është i arritshëm nëse do të arrijmë që të marrim një rezultat pozitiv në përballjen me Izraelin. Nëse do ta mposhtim Izraelin një transfertë, po. Përndryshe, do të jetë vështirë për shkak se humbja e fundit në shtëpi në përballjen direkte me këtë skuadër, na i komplikojë jo pak gjërat.

Sipas jush, cili do të jetë klasifikimi përfundimtar i grupit, duke bërë një parashikim?

Basha: Është ende herët, por besoj se Spanja do të jetë në vend të parë, pastaj të tjerat…