Shtëpi Lajme Mustafa thotë se BE duhet t’i heqë vizat për kosovarët edhe pa...

Mustafa thotë se BE duhet t’i heqë vizat për kosovarët edhe pa demarkacion

Shperndaje në Facebook.

Kryeministri Isa Mustafa ka treguar se në Samitin e Liderëve të EEP-së ka diskutuar për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për zhvillimin ekonomik për 4 për qind në Kosovë.
Mustafa ka thënë se ka folur rreth orientimit të qytetarëve të Kosovës drejt BE-së. Kryeministri është shprehur se aty ka kërkuar për ndonjë zgjidhje kreative që Kosova të gëzojë lëvizjen e lirë deri sa vazhdojnë punimet për demarkacionin me Malin e Zi.

Ky është postimi i plotë në Facebook:

Pas punimeve të Kongresit të Partive Popullore Evropiane, pasdite vazhduam në takimin e radhës, përkatësisht në Samitin e Liderëve të EPP-së.

Në fokus të liderëve evropianë, ishte situata dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Para liderëve, në dy paraqitje, prezantova zhvillimet kryesore në Kosovë, si zhvillimi ekonomik prej rreth 4%, ndaljen e migrimit ilegal, uljen e papunësisë dhe kontratat e shumta me FMN-në, BERZH-in, BEI-në, Qeverinë Gjermane, Qeverinë Franceze dhe qeveritë e tjera të vendeve perëndimore, të gjitha këto si investime në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përafrimit me Evropën dhe vlerat evropiane.

Nënvizova edhe një herë faktin se qytetarët e Kosovës janë të orientuar vetëm kah Bashkimi Evropian dhe se Kosova nuk ka asnjë alternativë tjetër, as politike dhe as ekonomike.

Në veçanti, theksova se Kosova ka mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë me regjim të vizave, se kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe mbetjen e kriterit të demarkacionit me Malin e Zi.

Kërkova një zgjidhje kreative, ndonjë formë të modalitetit ku qytetarët do të gëzonin lëvizjen e lirë, derisa ne do të punonim në ratifikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

Partitë Popullore Evropiane kanë luajtur një rol të veçantë gjatë procesit të liberalizimit të vizave, dhe pa ta, nuk do të kishim arritur deri këtu, prandaj jemi mirënjohës për përkrahjen e deritanishme dhe të vazhdueshme ndaj Kosovës.