Shtëpi Lajme “O si nuk kam një vend në foltore, ashtu si Rigerta!”, mesazhi...

“O si nuk kam një vend në foltore, ashtu si Rigerta!”, mesazhi i kësaj vajze do t’ju rrëqethë mishin

Shperndaje në Facebook.

Rigerta Loku, vajza mirditore që përloti pak ditë më parë deputetët në Parlament dhe që na rrëqethi të gjithëve me fjalimin e saj, ka bërë që deri diku të reflektojmë.
Ka shërbyer deri diku që të hapim sytë të gjithë një herë e mirë dhe të kuptojmë “llumin” ku po jetojmë. Pavarësisht spekulimeve që Gerta ishte e shtirur, ajo ç’ka tha mbetet me të vërtetë aktuale, është ndoshta deri diku gjysma hidhur e realitetit ku po jetojmë.

Kjo pasi gjysmën tjetër po na e tregon një vajzë nga Tirana, e cila përmes JOQ.al kërkon të ngrejë zërin për atë që vërtetë po na vret.

Përmes një mesazhi drejtuar shtetit e të gjithë neve, në këto paragrafe, vajza shkruan se uji e drita nuk janë problemi i vetëm “kur nuk ke një krevat ku të shtrihesh kur po lufton për jetën”.

Ju ftojmë të lexoni mesazhin e saj:

O si nuk kam një vend në foltore, ashtu si Rigerta! Rrugë dhe ujë… kaq mjaftonin për Rigertën, për Kristinën, apo për të gjithë fshatarët në emër të së cilëve foli e nderuara mirditore. Gjysmë milioni shqiptarë e ndanë fjalimin në ditën e parë, e të nesërmen dy milionë vrapuanin të analizonin se si mashtroi Rigerta e aktroi me zërin e ngritur në kërkim të mallëngjimit. Do doja të isha një Rigertë dhe të kisha edhe unë 15 minuta kohë të flisja në foltoren e Kuvendit. Të çirresha duke denoncuar, se atë që kërkoj s’kam shpresë se mund ta marr (!!!). Dua të flas e të bërtas e të lotoj për qënien më të padhembshur që ka shtruar shtresat e dhjamit e bizhutë e shtrenjtë nga leku i gjakut e i djersës së shqiptarit. Dua të flas për mjekët, për ato qenie më bluzë të bardha e me shpirt të zi. Kujt nuk i ka rënë të heqë të zitë e ullirit e t’ia vdesin shpresën duke i parë në kokërr të syrit. Do mendoni se po e teproj, apo se tek – tuk të rrallë janë mjekët. Po ju nuk e keni provuar të vuani nga një sëmundje e rëndë dhe t’ju thotë troç mjekja se ju ka mbetur vetëm 2 muaj jetë. Nuk e keni provuar t’ju thonë që të fiksoni në tru se i afërmi juaj është i pashpresë dhe asnjë mjekim nuk do t’i bëjë dërman. Nuk e keni provuar t’ju shohin si makinë parash, aty ku as sanitarja nuk i jep një leckë dhomës nëse nuk i fut 5-mijëlekëshin në xhep. Nuk e keni provuar të përjetoni stresin e mungesës së një ilaçi nga e cila varet jeta juaj, e të cilin s’keni mundësi ta blini vetë në farmaci. E ne qahemi për rrugë, ujë e drita! Të dhjefsha mu në rrugë, ujë e në drita, kur nuk ke një krevat ku të shtrihesh kur po lufton për jetën. Kur nuk ke një mjek të të përgjigjet e të të japë një fije shpresë. Ç’a të duhet rruga kur spitali ku do shkosh mban era myk, e s’ka as shërbimin minimal. Kur të duhet të presësh me orë të tëra në radhë, nëse nuk ke lekë t’ia fusësh mjekut në analiza? E as një roman nuk do të mjaftonte të përshkruaja gjakun e dhënë nga shqiptarët nëpër spitale, aty ku luhet me jetët, aty ku qarkullon leku si të luhej biznesi i drogës… Duhet ta shohësh me sytë e ty, sepse nuk ka fjalë… nuk ka klithmë e nuk ka lot të tregojnë barbaritetin që bëhet në spitalet tona. Mbase s’më duhet një vend në foltoren e Kuvendit, nuk dua të jem një Rigerta. Jam ajo vajza anonime që i përket popullit të thjeshtë, zëri i së cilës mbase kurrë nuk do të dëgjohet!