Shtëpi Lajme PAN ka arritur t’i sigurojë votat, thotë Xhavit Haliti

PAN ka arritur t’i sigurojë votat, thotë Xhavit Haliti

Shperndaje në Facebook.


Ende ka dilema nëse gjatë javës së ardhshme do të mbledhet Kuvendi i Kosovës për votimin e kryetarit, dhe për hapjen e rrugës për formimin e qeverisë.

Zyrtarë të koalicionit PAN vazhdimisht kanë deklaruar se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë zhvillime pozitive për formimin e institucioneve shtetërore.

Ka pasur edhe spekulime të shumta për një marrëveshje eventuale ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR’së, por që deri më tani nuk ka asgjë zyrtare.

Xhavit Haliti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë shkurt se ka informacione që numrat janë siguruar.

“Kam informacion se kanë arritur t’i sigurojnë numrat… më shumë nuk di sepse jam në pushim”, ka thënë Haliti për lajmi.net.

Edhe dje Pal Lekaj nga AAK-ja kishte thënë që java e ardhshme mund të ketë zhvillime pozitive për tejkalimin e krizës politike në vend.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci ka bërë të ditur disa herë se nuk do të thërras asnjë seancë përderisa nuk e ka garancën e ndonjërës prej partive se e kanë shumicën në Kuvend.

Lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli vazhdimisht ka bërë thirrje te LDK dhe VV që të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës, duke “kërcënuar” se ata do të shikojnë për opsionet tjera.

Por ai që po e pengon një koalicion të mundshëm PAN-AKR është Agim Bahtiri, i cili asesi nuk po pranon që partia e tij të bashkohet me koalicionin ku gjendet edhe PDK-ja.

Enver Hoxhaj në seancën e fundit të Kuvendit kishte kërkuar rreth dy javë kohë që koalicioni PDK-AAK-NISMA të sigurojë numrat e mjaftueshëm për ta votuar kryetarin e Kuvendit.