Shtëpi Lajme “Shpëtoni punëtorin e mirë Ismail”, si u gjet 26-vjeçari shqiptar në portin...

“Shpëtoni punëtorin e mirë Ismail”, si u gjet 26-vjeçari shqiptar në portin e Spanjës

Shperndaje në Facebook.

Ismaili, 26 vjeç, është saldator, zanatçi i mirë. Gazetarët e “Daily Mirror”, kur po investigonin për trafikun e qenieve njerëzore, para pak ditësh, e gjetën atë në një çadër së bashku me nipin, në një nga kodrat e Bilbaos (Spanjë) përballë portit. Ai po priste për të hyrë fshehurazi në ndonjë anije apo kamion që udhëton drejt ishullit britanik.

Ai, si disa shqiptarë të tjerë aty, me siguri nuk ka arritur të mësojë diçka rreth programit të qeverisë së re të zotit Rama, pasi kanë gati një muaj që jetojnë në mizerje, duke pritur shansin. Ismaili u tha gazetarëve se vendosi të largohej nga Shqipëria, pasi në vendin e tij nuk ka punë. Është i gatshëm të paguajë te trafikantët 2,500 paund që mund të jenë kursimet e 5 viteve në Shqipëri.

Ndërkohë, në Kuvend, kryeministri i rimandatuar po shpjegonte se qeveria e tij ka një plan ambicioz për të nxitur arsimin profesional, si përgjigje e mirë për të rritur punësimin. Kjo do të thotë se shumë të tjerë si Ismaili do t’i bashkohen si zanatçinj tregut të punës.

Nën titullin “Drama e tregut të punës”, revista analizon në brendësi se kjo nismë mund të dështojë, për shkak të paaftësinë për të lidhur nevojën e tregut me ofertën dhe mbështetjen joserioze që qeveria jep me fonde. Por problemi nuk lidhet kaq thjesht dhe ngushtë me mungesën e zanatçinjve apo profesionistëve të mesëm, sepse Ismaili, edhe pse e kishte një zanat,kërkon të largohet me çdo çmim dhe duke firmosur dëshminë më të mirë se problemi është më i thellë.

Kryeministri Rama tha se do të ketë një rritje ekonomike 5 për qind dhe se mbledhja e të ardhurave do të jetë 28 për qind e PPB-së, çka do t’i mundësojë qeverisë dhe biznesit të rrisë punësimin. Por kjo nuk është e thënë të ndodhë detyrimisht kështu,pasi sot performanca e ekonomisë shqiptare nuk vjen nga “shpirti i saj”, prodhimi vendas dhe eksporti. Prodhimi vendas “made in Albania”zë pak mbi 10 për qind të PPB-së, bilanci tregtar ka qenë përherë në disfavor dhe një raport që nuk ndryshon prej vitesh.

Nga ana tjetër, kapacitetet e shfrytëzuara të biznesit vendas mbeten nën 70 për qind. Edhe investimet, ndonëse në vlera të mëdha, nuk japin efekt të gjatë në punësim dhe shumica e tyre janë përqendruar në sektorët që kërkojnë pak krahë pune. Pra nuk është vetëm cilësia dhe çfarë arsimi merr popullata, por edhe se sa ekonomia ka nevojë dhe mund t’i përthithë ata.

Të dy këto aspekte varen nga qeveria. Por këtë, kryeministri Rama nuk e tha në Parlament dhe Ismaili sigurisht nuk kishte si ta dëgjonte. Në këto momente, edhe sikur Shqipëria të ketë mundësi të prodhojë me cilësi shtresën e mesme të profesionistëve, tregu vendas i punës mbetet i mbyllur. Ndaj ky grup ka vetëm dy zgjidhje, ose të emigrojë përmes programeve të punësimit (siç po ndodh me Gjermaninë), ose të largohet si klandestin. Reporterët e Daily Mirror, duke iu referuar autoriteteve britanike, thanë se vetëm vitin e kaluar mbërritën për punë mbi 900 shqiptarë klandestinë.

Ky fenomen tani është i qartë, por po kaq qartë duhet parë se jo çdo rritje ekonomike është detyrimisht shkopi magjik. Një program i mirë qeverisës duhet të ngjallë, së pari, shpresën dhe t’i bëjë njerëzit të besojnë, aq sa ta bindin Ismalin dhe mijëra të tjerë si ai, të kthehet në shtëpi. Por Ismaili nuk do të kthehet, për sa kohë nuk gjen dot një punë.